Sefer Selimi për dyvjetorin e qeverisjes së VLEN-it: “Sa më pak të flasin, aq më pak do ta bëjnë veten rezil.”
Analisti Sefer Selimi ka kritikuar subjektin politik VLEN, duke thënë se pas dy vitesh qeverisjeje nuk ka çfarë të paraqesë si arritje.
Ai u shpreh:
“Që VLEN nuk ka me çfarë të mburret pas dy vitesh qeverisjeje, këtë tashmë e kemi të qartë. Madje, unë uroj që sa më pak të flasin, aq më pak do ta bëjnë veten rezil.”
Selimi shton se, sipas tij, edhe opozita shqiptare nuk ka reaguar në mënyrë të mjaftueshme në përvjetorin e dytë të qeverisë së udhëhequr nga Hristijan Mickoski. Ai kritikon mungesën e reagimeve publike nga partitë politike, duke theksuar se nuk ka pasur deklarata, konferenca për media apo bilanc të qartë mbi dy vitet e qeverisjes.
Sipas tij, më 23 qershor 2024, kur u votua qeveria e re, pritej një analizë më e thelluar e premtimeve të pambajtura dhe e zhvillimeve politike gjatë dy viteve të fundit.
Selimi: Në vazhdim, editoriali i gazetës Koha mbi programin parazgjedhor: https://koha.mk/dy-vjet-ne-pushtet-premtimet-e-medha…/…
dhe premtimet e VLEN: https://vlen.eu/programi/
Dy vjet pas formimit të Qeverisë VMRO-VLEN-ZNAM, një pjesë e konsiderueshme e premtimeve që VLEN i paraqiti para qytetarëve shqiptarë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2024, vazhdojnë të mbeten vetëm në letër. Jo vetëm që nuk janë realizuar, por për shumicën prej tyre nuk ka as nisma konkrete, afate zbatimi apo hapa institucionalë që do të tregonin se procesi ka filluar, shkruan gazeta KOHA. Programi zgjedhor dhe qeverisës i VLEN-it përmbante dhjetëra zotime të mëdha politike, ekonomike, arsimore, kulturore dhe kombëtare, të cilat prezantoheshin si një Platformë e re për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Dy vjet më vonë, bilanci tregon një realitet krejtësisht tjetër.
KUSHTETUTA E RE MBETI VETËM PREMTIM. Një nga zotimet më të mëdha të VLEN-it ishte ndryshimi i Kushtetutës. Në program, thuhej se Kushtetuta aktuale është e mangët dhe nuk pasqyron realitetin politik dhe etnik të vendit. VLEN premtonte një Kushtetutë të re që do ta definonte shtetin si të përbashkët dhe të barabartë për dy komunitetet më të mëdha, shqiptarët dhe maqedonasit, duke garantuar njëkohësisht të drejta të plota për komunitetet e tjera. Sot, dy vjet më vonë, jo vetëm që nuk ka proces për një Kushtetutë të re, por nuk ka as iniciativë politike për hapjen e debatit.
BARAZIA E GJUHËS SHQIPE NUK U REALIZUA. Në Programin e vitit 2024, VLEN premtonte se gjuha shqipe do të fitonte status kushtetues si gjuhë shtetërore e barabartë me maqedonishten. Po ashtu, ishte premtuar forcimi i Inspektoratit të Gjuhëve, mekanizma ndëshkues për institucionet që nuk zbatojnë ligjin dhe përdorimi i barabartë i simboleve kombëtare shqiptare. Dy vjet më vonë, ndodhi e kundërta – në vend të përforcimit, Inspektorati si institucion juridik, me Ligj, u shndërruar në Sektor në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në praktikë, shqiptarët vazhdojnë të përballen me probleme në përdorimin e gjuhës shqipe në institucione, ndërsa debati për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe ka treguar se çështja e barazisë gjuhësore vazhdon të mbetet e pazgjidhur.
ASNJË REFORMË TERRITORIALE DHE ZGJEDHORE. VLEN kishte premtuar ndryshimin e modelit zgjedhor dhe ndarjen e vendit në tetë Njësi Zgjedhore nga gjashtë sa janë tani. Sipas VLEN-it, modeli aktual me gjashtë njësi prodhon pabarazi dhe dëmton përfaqësimin e shqiptarëve. Sot nuk ekziston asnjë propozim-ligj, asnjë grup pune dhe asnjë iniciativë institucionale për realizimin e këtij premtimi.
LIGJI PËR PËRFAQËSIMIN E DREJTË NË DREJTIM TË KUNDËRT. VLEN premtonte se shqiptarët do të përfaqësoheshin me të paktën 31.51 për qind në çdo institucion shtetëror. Ndërkohë, në vend të forcimit të mekanizmave ekzistues, Balancuesi u shfuqizua, ndërsa Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka shkaktuar kritika të shumta nga ekspertët dhe opozita shqiptare, të cilët vlerësojnë se ai nuk garanton përfaqësim real.
AKSIONE NGA 10 MIJË EURO PËR ÇDO QYTETAR? Një ndër premtimet më të bujshme ishte shpërndarja e 49 për qind të aksioneve të ndërmarrjeve publike te qytetarët. VLEN premtonte se secili qytetar do të përfitonte aksione me vlerë deri në 10.000 euro. Dy vjet më pas, kjo ide nuk është përmendur më nga askush në qeveri.
BANKA SHQIPTARE NUK EKZISTON. Një tjetër zotim ishte krijimi i një banke me kapital dominues shqiptar. Qëllimi ishte rritja e qasjes së shqiptarëve në financa dhe kredi. Megjithatë, nuk ka as projekt, as grup iniciues dhe as diskutim institucional për themelimin e saj.
RRUGËT DHE HEKURUDHAT MBETËN NË LETËR. Tetovë-Prizren, Llojan-Miratoc, Porti i Thatë në Strugë, hekurudha Shkup-Prishtinë dhe Shkup-Strugë-Durrës ishin ndër projektet kryesore infrastrukturore. Asnjëri prej tyre nuk ka hyrë në fazën e realizimit.
MALËSIA VAZHDON TË ZBRAZET. VLEN kishte premtuar shkolla të reja, qendra mjekësore dhe shërbime moderne për zonat malore. Migrimi nga fshatrat vazhdon, ndërsa projektet e premtuara nuk janë parë askund. Që banorët të mos i braktisin fshatrat dhe malësitë, VLEN-i ishte zotuar të ndërtojë shkollë fillore për çdo tre fshatra dhe shkollë të mesme për çdo dhjetë fshatra të furnizuara me biblioteka, laboratorë, internet e pajisje sportive, si dhe Qendër Mjekësore në secilin fshat malor, ose edhe Shërbim të specializuar mjekësor poliklinik për çdo 20.000 banorë
DIASPORA MBETI JASHTË SISTEMIT. VLEN ishte zotuar për garantimin e votimit të mërgatës si qytetarë të barabartë në RMV, ndërsa kishin përmendur modelin e Bullgarisë, ku diasporës i mundësohet votimi në secilin qytet të Evropës ku paraqiten 80 e më shumë votues. VLEN-i kishte premtuar madje formimin e Ministrisë së Diasporës, si dhe emërimin e personaliteteve të veçantë nga jeta publike në pozitën e Konsujve të Nderit në vende të ndryshme në BE dhe botë. Madje, VLEN kishte premtuar edhe krijimin e Këshillit Kombëtar të Diasporës! Në këtë Këshill, sipas Programit, do të përfaqësoheshin të gjitha subjektet politike shqiptare nga të gjitha trojet. Dhe, dy vjet më vonë, asnjëra prej këtyre pikave nuk është realizuar.
ZERO KAMATË PËR ÇIFTET E REJA? Një premtim që prekte drejtpërdrejt të rinjtë ishte financimi i banesave me zero interes. Nuk ekziston asnjë program i tillë.
SPORTI, KULTURA DHE ARSIMI. VLEN premtonte 200 terrene sportive, pesë qendra të reja kulturore, harmonizim të kurrikulave me Shqipërinë dhe Kosovën dhe mbështetje financiare për studentët cilësorë. Në këtë drejtim, ishte premtuar krijimin e një Instituti të përbashkët me Kosovën dhe Shqipërinë për unifikimin e sistemit dhe kurrikulave në lëndët e gjuhës, letërsisë, historisë, gjeografisë e të tjera që lidhen me shoqërinë dhe kulturën. VLEN-i ishte zotuar që do t’u jepen rroga studentëve cilësorë që regjistrohen në Fakultetin Pedagogjik. Edhe këto zotime vazhdojnë të mbeten pa realizim.
AKADEMIA SHQIPTARE DHE MUZEU SHQIPTAR. Ndër premtimet me karakter kombëtar ishin themelimi i Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, Muzeut të Historisë dhe Kulturës Shqiptare dhe programi “Erasmus Shqiptar”. Akademia Shqiptare përfundoi me një zyre të vogël, qiraja e së cilës, paguhet nga Komuna e Tetovës, ndërsa themelimi dhe regjistrimi i saj nuk përmendet më. Nuk u thekemua as Muzeu i Historisë Shqiptare.
GJASHTË SPITALE RAJONALE DHE REFORMA SHËNDETËSORE. VLEN-i ishte zotuar për hapjen e Klinikave të Mjekësisë Familjare për çdo 5000 banorë, përfshirë në vendet rurale dhe poliklinika për çdo 20.000 banorë. Në nivel sekondar, VLEN-i kishte premtuar hapjen e një spitali modern për çdo 100.000 banorë. Në ndërkohë, në regjionet shqiptare, VLEN-i ishte zotuar për hapjen e gjashtë spitaleve, të cilët do të menaxhoheshin nga komunat, ndërsa investimi do të ishte me buxhet publik, ose si privato-publik. Nuk ka asnjë projekt konkret të realizuar.
PENSIONE MBI PAGËN MINIMALE. VLEN ishte zotuar se, pensione do të marrim edhe personat që nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e sigurimeve shëndetësore. Madje, pensionet e kësaj kategorie do të marrin pension të barabartë me pagën minimale, ndërsa të gjitha të tjerët – do të marrin pensione më të larta.
KUOTA 40 PËR QIND PËR GRATË. VLEN premtonte përfaqësim minimal prej 40 për qind të grave në pozitat dhe nivelet qeverisëse. Nuk ka asnjë analizë apo raport që dëshmon se ky standard është arritur.
FERMERËT Shqiptarë DHE ZONAT EKONOMIKE. Njëri nga premtimet interesante ishte se do të krijohen ekipe në secilën komunë shqiptare që të ndihmohen fermerët shqiptarë me fonde dhe subvencione evropiane! Gjithashtu, VLEN-i kishte premtuar ngritjen e 60 agrobizneseve në vendbanimet shqiptare sipas modelit të Shqipërisë, ku shteti ndihmon investitorin privat duke ia kthyer gjysmën e investimit. VLEN kishte premtuar se do të themelojë katër zona të lira ekonomike me Shqipërinë (një mes Strugës dhe Pogradecit, si dhe një tjetër mes Dibrës dhe Peshkopisë), me Kosovën në Bllacë dhe Hanë të Elezit, si dhe me Luginën e Preshevës mes Kumanovës dhe Preshevës. Asnjëra nga këto nisma nuk është materializuar.
MPB, SHËRBIMET SEKRETE DHE DOSJET E KOMUNIZMIT. VLEN-i ishte zotuar që Ministria e Punëve të Brendshme të drejtohej nga një shqiptar, ashtu sikurse një shqiptar do të drejtonte njërën nga dy drejtorisë kryesore të policisë – ose shërbimin inteligjent ose drejtorinë e policisë. Gjithashtu, kishte premtuar pozita drejtuese në shërbimet inteligjente, përfshirë ato ushtarake dhe në Presidencë. Njëkohësisht, në Program ishte edhe dëmshpërblimi për të përndjekurit politikë. VLEN kishte premtuar hapjen e dosjeve të shërbimit jugosllav, ndërsa ishte zotuar për dëmshpërblimin e mijëra të përndjekurve shqiptare që kanë vuajtur në burgjet e komunizmit. As këto premtime nuk janë realizuar.
LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT. Një ndër zotimet kryesore ishte përfshirja e ekspertëve perëndimorë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial për luftë kundër korrupsionit. VLEN kishte premtuar krijimin e një Trupi të përbashkët ekspertësh perëndimorë që do të integroheshin në Këshillat prokuroriale dhe gjyqësore të Maqedonisë për ndihmë kundër krimit dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, do të miratoheshin një pako legjislative për luftë të pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit. Edhe ky premtim mbetet pa zbatim.
BILANCI I DY VITEVE. Pas dy vitesh në pushtet, lista e premtimeve të parealizuara të VLEN-it është e gjatë dhe prek pothuajse të gjitha fushat kryesore të programit të tyre politik. Nga ndryshimi i Kushtetutës, barazia e gjuhës shqipe dhe përfaqësimi i drejtë, deri te Banka Shqiptare, vota e diasporës, spitalet rajonale, zonat ekonomike dhe Akademia Shqiptare e Shkencave dhe Arteve, shumica e zotimeve nuk kanë kaluar as fazën fillestare të implementimit. Përballë këtij bilanci, pyetja që shtrohet është nëse këto premtime kanë qenë projekte reale qeverisëse apo thjesht pjesë e retorikës elektorale që u përdor për të fituar mbështetjen e votuesve shqiptarë në zgjedhjet e vitit 2024. (koha.mk) – Gazeta Flaka
















