Draft-raportet për Ballkanin Perëndimor – Maqedonia e Veriut nuk i zbatoi reformat shpejtë

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Qershor, 2026 11:23 Përditësuar

Draft-raportet për Ballkanin Perëndimor – Maqedonia e Veriut nuk i zbatoi reformat shpejtë

Raportuesit e Parlamentit Evropian për pesë vende të Ballkanit Perëndimor kanë prezantuar dje draft-rezolutat e raporteve vjetore të Komisionit Evropian për përparimin e tyre në rrugën drejt integrimit evropian, transmeton Portalb.mk.

Raportet për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi u prezantuan gjatë debatit të djeshëm në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg.

Weitz: Pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, RMV-ja mund të jetë vendi i radhës që i bashkohet BE-së

Raportuesi për Maqedoninë e Veriut, Thomas Waitz, tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe vazhdon të jetë “fushë loje për fuqitë e huaja”.

“Po, mund të themi se vendi nuk i zbatoi reformat aq shpejt sa ishte e mundur, por duhet të pranojmë gjithashtu se edhe ne në BE kemi dhënë premtime që nuk i kemi përmbushur”, tha Waitz.

Ai shtoi se vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë vullnet për të zbatuar reformat e nevojshme dhe se kjo duhet të shpërblehet përmes integrimit të pjesshëm në tregun evropian, përfitimeve në roaming dhe përfshirjes në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave, me qëllim ruajtjen e motivimit.

Sipas tij, anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor sjell vlera të rëndësishme sigurie dhe ekonomike për BE-në.

Ai vlerësoi se pas Malit të Zi dhe Shqipërisë, Maqedonia e Veriut mund të jetë vendi i ardhshëm që do t’i bashkohet Unionit.

Mali i Zi dhe Shqipëria së shpejti në BE

Raportuesi për Malin e Zi, Marjan Sharec, deklaroi se Mali i Zi vazhdon të jetë favoriti mes vendeve kandidate për anëtarësim në BE.

Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, tha se vendi tashmë është “me një këmbë në Bashkimin Evropian”.

Kosova duhet të marrë statusin e vendit kandidat

Raportuesi për Kosovën, Riho Terras, tha se zgjerimi i BE-së është mënyra më efektive për forcimin e sigurisë në Evropë. Sipas Terras, është shumë e rëndësishme që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat.

“Është me rëndësi të veçantë që Kosova të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe të ruajë mbështetjen e lartë publike për integrimin evropian”, theksoi ai.

Raporti për Bosnjën ishte më i vështiri për t’u përgatitur

Raportuesi për Bosnjë e Hercegovinën, Ondeej Kolar, tha se raporti për këtë vend ishte ndoshta më i vështiri për t’u hartuar për shkak të së kaluarës së trazuar, strukturës komplekse shtetërore dhe sfidave të shumta në rrugën drejt BE-së.

Kos: Ka ardhur koha që Ballkani Perëndimor të integrohet në BE

Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se ka ardhur koha që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në Bashkimin Evropian dhe të korrigjohen gabimet e së kaluarës.

Ajo tha se të gjitha vendet e rajonit, si dhe Ukraina dhe Moldavia, përballen me kërcënime hibride.

“Sa më shumë përparojmë në procesin e zgjerimit, aq më shumë sulme ka. Nëse nuk arrijmë t’i integrojmë këto vende dhe t’i ndihmojmë të përballen me veprimet armiqësore që synojnë t’i largojnë nga rruga evropiane, të tjerët do t’i përdorin kundër nesh”, tha Kos.

Në debatin e djeshëm morën pjesë edhe eurodeputetë nga grupime të ndryshme politike në Parlamentin Evropian. Votimi është caktuar për ditën e sotme.

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e përshëndeti debatin në Parlamentin Evropian mbi Raportin për Maqedoninë e Veriut, duke vlerësuar se mesazhet e dërguara nga eurodeputetët përfaqësojnë një konfirmim të fuqishëm të perspektivës evropiane të vendit dhe një nxitje shtesë për vazhdimin e procesit reformues.

Gjatë debatit, raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, përcolli mesazhe inkurajuese për perspektivën evropiane të vendit, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ka kapacitetin dhe potencialin për të qenë pjesë e valës së ardhshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian.

“Ky është një mesazh i rëndësishëm që vjen në një moment kyç për vendin tonë. Fakti që në Parlamentin Evropian njihet progresi i Maqedonisë së Veriut dhe theksohet mundësia që vendi të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian është inkurajim për të gjitha institucionet që të vazhdojnë me ritëm edhe më të fuqishëm reformat. Evropa e sheh Maqedoninë e Veriut si pjesë të familjes evropiane dhe detyrimi ynë është që përmes rezultateve ta arsyetojmë këtë besim”, deklaroi Sali.

Ai theksoi se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e reformave në sundimin e ligjit, administratën publike, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve demokratike, si parakushte kyçe për avancimin e procesit të integrimit evropian.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një objektiv i politikës së jashtme, por një zgjedhje strategjike që sjell institucione më të forta, zhvillim ekonomik dhe më shumë mundësi për qytetarët. Perspektiva jonë evropiane është e qartë dhe e arritshme. Debati i sotëm në Parlamentin Evropian është konfirmim se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian. Përgjegjësia jonë është që përmes reformave, rezultateve dhe pjekurisë politike ta shfrytëzojmë këtë momentum dhe ta afrojmë vendin drejt anëtarësimit të plotë në familjen evropiane”, theksoi Sali.

Lidhur me të gjitha çështjet e trajtuara në kuadër të Raportit, Sali nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe dialogut konstruktiv, në përputhje me Kornizën Negociuese dhe parimet e Bashkimit Evropian. Gazeta Flaka

90
SONDAZHI

A duhet vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Flaka
Botuar nga Flaka 17 Qershor, 2026 11:23 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
90
SONDAZHI

A duhet vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?