Ahmeti: Unifikimi maqedonas antishqiptar do të rrezikojë marrëdhëniet ndëretnike
Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti thotë se LSDM dhe VMRO-DPMNE përmes rivotimit në 7 vendvotime dëshirojnë që t’ia marrin Frontit Europian dy mandate. Ahmeti tha se kjo bëhet që nëse Fronti mbetet në opozitë, të mos jetë fuqia e parë politike e opozitës vend, me ç’rast do t’i takonin disa funksione.
“Ky moment vjen pas një analize të përbashkët që kanë bërë VMRO me LSDM-në, për t’i përsëritur këto vendvotime, me qëllim që bashkimi i Frontit të mos jetë parti e dytë në vend. Por edhe nëse, negociatat që do të bëhen mes partive politike që akoma janë në vazhdim e sipër, për çdo eventualitet, pa paragjykuar këtu rezultatin e negociatave, por nëse Fronti mbetet opozitë, do të jetë përfaqësuese e shtetit në të gjitha institucionet e shtetit, ato kompetenca të cilat i ka opozita. Kështu që nga këto shqetësime që janë krijuar, është krijuar një unifikim mes dy partive më të mëdha të komunitetit maqedonas, që për fat të keq, ky bashkim, ky unifikim i këtyre politikave, frikësohemi që do të ndikojnë edhe në marrëdhëniet ndëretnike, që ne nuk i dëshirojmë të ketë një lëvizje të tillë”, deklaroi Ahmeti.
Pas mesnate, Koalicioni “Vlen” përmes një komunikatei ka përshëndetur vendimet e Gjykatës Administrative dhe ka bërë thirrje për dalje masovike në votimin e përsëritur në vendvotimin ku koalicioni, mund të fitojë edhe një deputet më shumë.
“Ky vendim dëshmon edhe njëherë se shpresa për qytetarët në vend po vjen, ndërsa manipulimet dhe krimi i këtij pushteti hibrid po bie. Ndryshimi i filluar më 8 maj, ka filluar të realizohet, por që të jetë edhe më i shpejtë dhe më efikas i ftojmë qytetarët e vendvotimit 2101 – Komuna e Zhelinës, që të mërkurën, më datë 22 maj të dalin dhe të shprehin vullnetin e tyre, të lirë, pa iu nënshtruar trysnive të BDI-së dhe manipuluesve të saj në ikje”.
Me këto vendime të Gjykatës Administrative, do të rrezikohet deputeti i katërt i Frontit Europian në Zonën 5 zgjedhore, konkretisht deputeti Ismail Jahoski, si dhe deputeti i nëntë i Frontit në Zonën 6 zgjedhore, Fatmire Isaku.
Në Zonën e 5-të zgjedhore, LSDM-së i duhet vetëm 110 vota për t’ia marrë deputetin Frontit, ndërsa VLEN-i, nëse merr 370 vota më shumë se Fronti, mund ta marrë deputetin e tetë dhe Fronti ta humb deputetin e nëntë.
Në Zonën 5 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VNRO, LSDM dhe Levica, ndërsa në Zonën 6 zgjedhore, rivotim ka kërkuar VLEN-i.
Zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV u mbajtën me 8 maj 2024. Sipas rezultateve, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe Znam 6. Përbërja e re e Kuvendit duhet të konstituuohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve.